Presidenca e Sirisë së lirë I është referuar Kosovës si Republikë, pas takimit që e pati sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me homologun e saj sirian Ahmed al Sharaa.
Në një postim në platformën X të presidencës siriane i është referuar Osmani si presidente e Kosovës, derisa ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.
“Presidenti i Republikës Arabe të Sirisë, Ahmad Al-Shara, dhe shkëlqesia e tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Asaad Al-Shaibani, në takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia”, thuhet në postim.
Osmani për takimin në fjalë ka thënë se populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë.
Ky shënon edhe takimin e parë mes tyre “për ta hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona”.
“Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, u shpreh Osmani për këtë takim.