Presidenca e Kosovës i ka bërë një përmbledhje vizitës së Presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aty janë përmbledhur takimet që ka zhvilluar Osmani me zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të Kongresit, siç është thënë, për të thelluar partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
Aty përmendet takimi me Zv. Sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, Ndihmës Sekretarin në detyrë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, Ambasadoren Dorothy Shea, të ngarkuar me punë në Misionin e SHBA-ve në OKB, Senatorin Andy Kim dhe Kongresistin Ritchie Torres.
Në takimin me Landau thuhet se Osmani diskutoi për ndërtimin e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e Administratës Trump – me fokus në siguri, zhvillim dhe investime strategjike.
Përveç takimeve, ajo ka marrë pjesë edhe në disa tryeza diskutimi.
Në Hudson Institute në Washington D.C., Presidentja ka mbajtur fjalimin kryesor dhe ka marrë pjesë në diskutimin për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.
Në Johns Hopkins University, Osmani ka marrë pjesë në diskutimin për rolin e Kosovës në arkitekturën globale të sigurisë dhe përforcimin e aleancës transatlantike.
Në Atlantic Council, në një tryezë të rrumbullaktë, në prani të diplomatëve e ekspertëve, ajo ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Në New York, Presidentja Osmani dekoroi me medalje presidenciale disa prej kontribuuesve më të mëdhenj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – pjesëtarë të diasporës shqiptaro-amerikane që u bënë zëri, guximi dhe forca e Kosovës në ditët më të vështira”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, me ftesë të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Osmani ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga FIFA për Kupën e Botës për Klube, ku takoi personalitet të shquara nga bota e politikës e sportit.
“Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara – në vlera, në vizion dhe në veprim”, thuhet në fund të postimit.