Në 24 vjetorin e çlirimit, krerët e shtetit kanë organizuar pritje shtetërore. Në këtë organizim u raportua në media se ambasadorët e vendeve të QUINT-it, e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në pritjen shtetërore të Ditës së Çlirimit. Mirëpo, këtë e mohojnë për Sinjalin nga zyra e Presidencës.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani tha për Sinjalin se në organizim të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre.
“Pritja për nder të 12 qershorit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë. Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka thënë Kupina për Sinjalin.