Presidenca për kërcënimin ndaj Osmanit: Asnjë kërcënues nuk është përballur me drejtësinë për vite me radhë

Presidenca për kërcënimin ndaj Osmanit: Asnjë kërcënues nuk është përballur me drejtësinë për vite me radhë

Këtë të hënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u kërcënua me jetë përmes një emaili, raporton Gazeta “Enigma”.

Bekim Kupina, këshilltar për media tha se kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë.

Tutje ai në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se përkundër disa kercënimeve që kanë ndodhur tani e disa vite deri më tani nuk eshte ndërmarrë asnjë masë ndaj kërcënuesvë.

“Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”, tha Kupina.

Sipas tij asjë kërcënues drejt Osmanit ose familjes së saj deri më tani nuk është përballur me drejtësinë.

“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka deklaruar ai për “Enigmën”.

“Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles