Presidenca: SHBA s’është kundër hapjes së urës, por kohës së papërshtatshme

Presidenca: SHBA s’është kundër hapjes së urës, por kohës së papërshtatshme

Nga Presidenca e Kosovës janë deklaruar rreth çështjes së hapjes së urës mbi Ibër, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër hapjes së urës, “por kohës së papërshtatshme”.

Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, tha për Gazetën Enigma SHBA-ja ka ndarë me Presidenten vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, “të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”.

“SHBA-të asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjeshtë kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, tha Kupina në përgjigjen për Enigmën.

Dy javë më parë, presidentja Osmani pati deklaruar se çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.

“Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e  kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, pati shkruar ajo.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, iu është lutur Qeverisë Kurti që ta shtyjë për një kohë tjetër hapjen e Urës së Ibrit, duke thënë se hapja për qarkullim të automjeteve mbi urë do të rrezikonte ushtarët amerikanë. /Gazeta Enigma

Related Articles