Presidenca sllovene: Është “fake news”, Pahor s’do ta zëvendësojë Lajçak-un

Presidenca sllovene: Është “fake news”, Pahor s’do ta zëvendësojë Lajçak-un

Ish-kryeministri slloven dhe presidenti aktual i Sllovenisë, Borut Pahor, nuk do të jetë zëvendësuesi i Miroslav Lajçak-ut në pozitën e ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë – Serbi, kanë thënë nga Presidenca sllovene duke përgënjeshtruar kështu lajmin e shpërndarë të mërkurën në mediat ballkanike.

“Informacioni është fake news (lajm i rrem)”, thuhet në përgjigjen e sllovenëve për AP.

“Pas përfundimit të mandatit të tij Presidenti Pahor – ashtu siç e parasheh ligji – do ta përdorë zyrën e ish-presidentit”, kanë sqaruar më tej nga presidenca.

Lajmi fillimisht u dha nga gazeta sllovene Delo, e përditshmja e dytë më e madhe në Slloveni, e cila shpërndahet edhe në Kroaci e Serbi.

Nga Delo u tha se, sipas burimeve të tyre në Bruksel, është Pahor që është “vetënominuar” për këtë pozitë.

Gazeta tregohej kritike për këtë përfshirje potenciale të Pahor, duke cituar edhe drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Studime Ballkanike, IFIMES, Zijad Beçiroviç, i cili tha se “nuk do të ishte e befasishme që Pahor të hyjë në analet e historisë së politikave të gabuara të BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Por, siç thotë zyra e Pahor për Albanian Post, një lajm i tillë është thjesht trillim i mediave, sepse presidenti s’ka paraparë diçka të tillë për karrierën e tij post-presidencë.

“Për momentin ai nuk ka plane për vitin pas presidencës, pasi i është përkushtuar plotësisht me gjithë kohën e tij punës së tij si president i Republikës së Sllovenisë”.

Kështu edhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit, “i cili përfundon me 22 dhjetor”.

Presidenti slloven, Borut Pahor, ne Prishtine, pas takimit me presidenten e Kosoves, Vjosa Osmani

Pahor ka një jetë të tërë që është pjesë e institucioneve sllovene në pozita të ndryshme.

Para se të merrte pozitën e presidentit (që përbën një rol ceremonial shtetëror) në vitin 2012, ai kishte shërbyer si kryeministër i Sllovenisë për katër vjet.

Pahor kishte shërbyer disa herë edhe si deputet në kuvend, derisa nga viti 200 deri në vitin 2004 ishte kryetar i Parlamentit.

Në vitin 2004 ishte zgjedhur edhe deputet për Parlamentin Evropian, por pas fitores së Socialdemokratëve në 2008-në mori pozitën e kryeministrit.

Në vitin 2011 qeveria e tij kishte humbur votëbesimin dhe ishte rrëzuar nga parlamenti, kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe tensioneve politike.

Ai e kishte vazhduar mandatin si “pro tempore” (kryeministër i përkohshëm) derisa u zëvendësua nga Janez Jansha.

Në 2012 kishte garuar për zyrën e presidentit, ku kishte fituar duke mposhtur presidentin në pozitë, Danilo Turk.

Në vitin 2017 Pahor u rizgjodh për termin e dytë si presidentë pasi fitoi në garë kundër Marjan Sharec.

Presidenti i Sllovenise, Borat Pahor dhe Presidenti i Serbise, Aleksnadër Vuçiç

Vitin e kaluar (2021) Pahor pati vizituar Kosovën ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, derisa në Prishtinë vinte nga vizita paraprake në Beograd ku kishte pasur takim me Aleksandër Vuçiç.

Në fjalën e tij në Kosovë Pahor deklaroi se do të bëjë presion në Bashkimin Evropian dhe tek vendet anëtare që të intensifikojnë politikat e zgjerimit.

Related Articles