Këshilltari për Media i Presidentes së Republikës së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të analistit Lirim Mehmetaj, duke i cilësuar ato si thirrje të drejtpërdrejta për dhunë, urrejtje dhe shpifje të rënda ndaj Presidentes Vjosa Osmani dhe familjes së saj.
Në reagimin e tij, Kupina thekson se thirrja që Presidentes t’i “prehet koka” përbën nxitje të hapur të dhunës dhe nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si liri e shprehjes e mbrojtur me Kushtetutë apo ligj, as në Kosovë dhe as në vendet demokratike. Ai u bën thirrje organeve kompetente që, sipas detyrës zyrtare, ta trajtojnë menjëherë këtë kërcënim serioz.
Sipas Kupinës, deklarimet e Mehmetajt janë të pabazuara dhe përbëjnë shpifje të rënda, të ndërtuara mbi gënjeshtra të përsëritura, me qëllim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes së Republikës së Kosovës. Ai vlerëson se këto deklarime nuk synojnë debat publik apo kritikë politike, por denigrim të qëllimshëm dhe krijim të një klime urrejtjeje.
“Presidentja Osmani nuk ka kërcënuar, nuk ka shantazhuar dhe nuk ka ushtruar presion politik ndaj askujt. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe përbën manipulim të qëllimshëm të opinionit publik,” thuhet në reagim, duke i cilësuar si shpifje flagrante pretendimet për korrupsion, shitje vote, pasuri multimilionëshe apo investime të supozuara në Shqipëri.
Kupina ka dënuar gjithashtu shpifjet ndaj babait të Presidentes, duke rikujtuar se ai ka qenë i burgosur dhe i torturuar në burgjet e regjimit të Millosheviqit. Ai thekson se për këto akuza ekzistojnë tashmë vendime të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilat i kanë vërtetuar si të pavërteta, dhe se për pasojë Lirim Mehmetaj do të përballet me padi për shpifje.
Në reagim vlerësohet si veçanërisht alarmuese gjuha e përdorur në këto sulme, ku, përveç shpifjeve, bëhen thirrje të hapura për dhunë dhe linçim. “Kjo nuk është as kritikë dhe as opinion, por diskurs i rrezikshëm që synon dehumanizim dhe nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës,” thuhet më tej.
Në përfundim, Kupina thekson se liria e shprehjes nuk mund të justifikojë shpifjen, nxitjen e urrejtjes apo dhunës, ndërsa njofton se Presidentja e Republikës së Kosovës dhe familja e saj do të ndjekin rrugën ligjore ndaj Mehmetajt, duke përdorur të gjithë mekanizmat juridikë në dispozicion.
