FC Malisheva pati një sezon të vështirë në vitin e tyre të parë në Superligë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Thaqi shquhet për lojë të bukur e spektakël në fushën e gjelbër, por në fund të sezonit përfunduan në zonën e barazhit.
Malisheva arriti që ta sigurojë mbijetesën së paku edhe për një sezon në Superligë, falë fitores me rezultat 3-1 në barazh ndaj Vushtrrisë.
Disa prej klubeve të Superligës kanë nisur përgatitjet dhe janë shumë aktive duke i konfirmuar trajnerët e tyre dhe duke transferuar lojtarë të rinj.
Mirëpo, Malisheva deri tani është në ‘gjumë të thellë’, pasi nuk e ka konfirmuar as trajnerin e ri e nuk e ka bërë asnjë transferim.
Kryetari i klubit të FC Malishevës, Driton Morina në një intervistë për Gazetën Enigma, ka treguar për më të rejat rreth këtij klubi.
Morina ka bërë të ditur deri më tani nuk e kanë zyrtarizuar vazhdimin e kontratës së trajnerit Arsim Thaqi, të cilit i skadon kontrata me 30 qershor të këtij viti.
“Ai ka kontratë, deri në momentin që ka kontratë ne nuk lypim tjetër. Në momentin që nuk vazhdon Arsim Thaçi, vazhdon tjetri. Kontratën e ka deri në fund të qershorit”, ka thënë Morina për Gazetën Enigma.
Presidneti i Malishevës thotë se janë duke i marrë senet pa nguti.
“Ne i marrim senet me kadale, qysh ia keni nis ju me hez, na arrijmë deri te data, vjen data, diskutohet këto sene, para kohe çka kemi me diskutu. Normal gjithmonë diskutohet me trajnerin e parë nuk diskutohet me tjerë”, thotë ai.
Morina insiston se secili trajner ka vullnet që të bashkëpunojë me Malishevën.
“Me Malishevën, jo vetëm trajneri, por të gjithë kanë vullnet me bashkëpunu. Cilido trajner në Kosovë ka vullnet me bashkëpunu me neve”, potencon ai.
Sipas Morinës Malisheva nuk e ka ndërmend mi nis bisedimet me lojtarët e tyre pa i skadu kontrata atyre.
“Të gjithë lojtarët kanë për momentin kontrata deri në afatin kur e kanë ata, në momentin që iu skadon kontrata atyre. Qat ditë që iu skadon bisedojna me ta”, thotë ai.
Siç mëson Gazeta Enigma, Malisheva ka marrëveshje me trajnerin Arsim Thaqi, por kryesia e klubit janë duke hezituar që ta zyrtarizojnë vazhdimin e kontratës së Thaqit./GAZETA ENIGMA/