Presidentja Osmani: Dënojmë përpjekjet për mohim të gjenocidit në Srebrenicë

Presidentja Osmani: Dënojmë përpjekjet për mohim të gjenocidit në Srebrenicë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, në Ditën e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas një komunikate për media nga Presidenca, Osmani ka thënë se përsërisin dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë.

Ajo po ashtu citohet të ketë thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë, kur sipas saj, “tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje”.

“Prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi. Gjatë takimit, deputeti Mehmedoviq falënderoi presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë”, thuhet në njoftim.

Osmani thuhet se ka potencuar se “vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe”.

“Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”, thuhet në njoftim.

Related Articles