Presidentja Osmani: Femicidi është krizë kombëtare që kërkon veprim urgjent

Presidentja Osmani: Femicidi është krizë kombëtare që kërkon veprim urgjent

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke e cilësuar femicidin si një “krizë kombëtare” që po dëmton rëndë shoqërinë kosovare.

Duke iu referua rastit të fundit në Gadime të Ulët, ku një grua u sulmua pavarësisht se kishte urdhër mbrojtjeje aktiv, e para e shtetit të Kosovës, theksoi se institucionet duhet të garantojnë zbatimin e plotë të masave ligjore për të mbrojtur viktimat e dhunës.

Sipas saj, shifrat e rritura të dhunës në familje tregojnë qartë se dokumentet e mbrojtjes nuk mjaftojnë nëse nuk zbatohen me vendosmëri dhe pa vonesa.

Ajo paralajmëroi se çdo neglizhencë institucionale mund të ketë pasoja të rënda.Presidentja kërkoi veprim të koordinuar, përgjegjësi të plotë dhe zero tolerancë ndaj çdo forme dhune, duke theksuar se asnjë person që ushtron dhunë nuk duhet të ndihet i paprekshëm dhe asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur.

“Çdo hap i gabuar mund të jetë fatal,” tha Osmani.

Ajo apeloi për një angazhim më të madh institucional dhe shoqëror për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e grave dhe vajzave në Kosovë.

Related Articles