Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Kanada, në një ceremoni ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.
Ajo ka vlerësuar lart rolin e forcave paqeruajtëse kanadeze për ndërtimin e një shoqërie të sigurt në periudhën e pasluftës në Kosovë. Sipas saj, krahas ushtrive të kombeve të tjera, ushtarët kanadezë e bën të mundshme lirinë e Kosovës, ndaj populli do t`u jetë përjetë mirënjohës.
Në takim me ministren e mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim më sferën e sigurisë, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, e cila sipas saj po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne, falë koordinimit me partnerët strategjik.
Në këtë kontekst, ajo ka përmendur programin e mbrojtjes: MTCP- Programi i Bashkëpunimit në Stërvitje Ushtarake, duke potencuar mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Kosovës.
Presidentja Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë i ka vlerësuar shumë të mira dhe të rëndësishme në planin ndërkombëtar e strategjik.
Ajo ka falënderuar Kanadanë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka theksuar se vendi ynë ka ende nevojë për mbështetjen kanadeze, posaçërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar tendencat negative të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke potencuar mundësitë për destabilizim edhe nga retorika nxitëse dhe veprimet e shtetit serb./Gazeta Enigma/