Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë duhet të falënderohen të gjithë ata që sakrifikuan për Pavarësinë e vendit, raporton Gazeta “Enigma”.
“Sot falënderojmë të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë, duke nisur nga arkitekti dhe vizionari i Pavarësisë së vendit tonë, presidentit historik Ibrahim Rugova, deri tek tre mijë dëshmorët që dhanë jetën për liri, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari”, ka thënë ndër të tjerash Osmani.
Tutje, Osmani ka thënë se Kosova ka ende punë për të bërë dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat, të zhdukurit dhe të dhunuarit nga lufta e fundit në Kosovë.
“Kjo Pavarësi do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat”, ka thënë presidentja.
Në fund ajo ka cituar thënien e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke deklaruar se “shtëpia nuk mbahet pa miq dhe se Kosova është dëshmia më e mirë e kësaj thënie”.