Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), z. Giovanni Pietro Barbano.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend, me theks të veçantë në nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të EULEX-it, përcjellë Gazeta Enigma.
Të dy palët nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit brenda mandatit teknik të EULEX-it, i cili përfshin monitorimin, mentorimin dhe këshillëdhënien për institucionet vendore të drejtësisë.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të avancuar bashkëpunimin konstruktiv me EULEX-in, duke theksuar se ky bashkëpunim është thelbësor për forcimin e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në vend./GazetaEnigma/