Presion i shtuar ndërkombëtar karshi Kurtit për formimin e Asociacionit, a po ‘dorëzohet’ Qeveria?

Presion i shtuar ndërkombëtar karshi Kurtit për formimin e Asociacionit, a po ‘dorëzohet’ Qeveria?

Përkundër presionit të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare që t’i jepet sa më parë epilog çështjes së formimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, në horizont nuk po duket se zgjidhja është afër, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur qëndrimet e tij se vetëm mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, Asociacioni mund të formohet, në të kundërtën sipas tij nuk do lejohet cenimi i sovranitetit të vendit.

Me ftesën e Ambasadës amerikane, përfaqësues të institucioneve të shtetit e të opozitës kanë mbajtur takim për të diskutuar në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Takimi ishte inicuar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pjesë e diskutimit.

Ai madje kur u pyet për këtë, nuk potencoi arsyen se pse s’po merr pjesë, por tha se ka përfaqësues të zyrë së tij në takim.

Si të përgjigjet Kurti ndaj presionit të ndërkombëtareve?

Analisti për çështje ndërkombëtare, Gazmir Raci në një prononcim për Gazetën Enigma theksoi se kryeministri Kurti ka mbrojtur qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës që e ka prezantuar edhe në Bruksel.

Raci tha se në kuadër të planit franko – gjerman bën pjesë edhe zbatimi i pesë marrëveshje të tjera, e jo vetëm për Asociacionin. Sipas Racit, këto marrëveshje Serbia nuk po i zbaton, derisa e njëjta ka shkelur edhe pikën e 14-të të marrëveshjes së prillit dhe përveç se nuk e ka zbatuar.

Sipas analistit Raci, duhet mbështetur kryeministrin Kurti që Asociacioni dhe pesë marrëveshjet e tjera duhet të adresohen në kuadër të planit franko – gjerman, sepse sipas tij Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje sa për të plotësuar disa kritere politike të Serbisë.

“Kryeministri ka mbrojtur qëndrimin zyrtar të shtetit të shtetit të Kosovës që e ka prezantuar edhe në Bruksel, por që në kuadër të planit franko-gjerman bëjnë pjesë edhe zbatimi i pesë marrëveshjeve të tjera, gjë që nuk bëhet fjalë vetëm për Asociacionin”, theksoi ai.

Tutje ai shtoi se“Këto marrëveshje Serbia nuk po i zbaton, derisa e njëjta ka shkelur edhe pikën 14 të marrëveshjes së prillit dhe përveç se nuk e ka zbatuar ka dërguar edhe nota verbale kundër Kosovës kur vendi ka aplikuar për statutin e vendit kandidat”, ka thënë Raci.

Mes tjerash, ai thekson se situata aktuale me Serbinë është problematike, derisa citoi edhe fjalët e presidentes Osmani.

“Me Serbinë është problematike sepse siç tha edhe presidentja e Kosovës, dy herë duhet të negocijojmë me Serbinë. Një herë me arritë marrëveshjen, pastaj me zbatu atë”, ka cituar Raci.

Ai si përfundim thekson se askush në Kosovë nuk ka mandat për të negociuar një Asociacion që mund të ketë kompetenca ekzekutive, e që mund ta dëmtojë sistemin Kushtetues që ka tash Kosova.

“Askush në Kosovë nuk ka mandat me negociu një Asociacion që mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe që mund ta dëmtojë sistemin Kushtetues që ka tash Kosova”.

“Kemi dy nivele të qeverisjes, atë nacional dhe lokal dhe çdo tendencë për me e fut Asociacionin në mes të këtyre niveleve e prish rendin Kushtetues dhe karakterin multietnik që është ndërtuar me mund”, përfundoi Raci.

Ndërsa, sa i përket kësaj çështje, për Gazetën Enigma është deklaruar edhe analisti Dritro Arifi, cili tha se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor i Kosovës dhe i cili duhet të themelohet.

E dyta, por jo më pak e rëndësishmja, sipas Arifit është që të krijohet edhe një unitet shqiptar se çfarë dhe si duhet të duket Asociacioni.

Sipas Arifit, nëse këto dy elemente përputhen njëra me tjetrën, shoqëria mund ta ketë më të lehtë të ketë një rezultat pozitiv duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kush pro, e kush kundër themelimit të Asociacionit?

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka dalë me një deklaratë pas përfundimit të takimit të sotëm lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përmes një postimi në Tëitter, ambasadori ka shkruar se vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut.

“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore në ambasadën amerikane  për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.

Ndërsa nga blloku opozitar, Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka vlerësuar lartë angazhimin e SHBA-së në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Sa i përket dialogut thonë se PDK në vazhdimësi ka dhënë përkrahje dhe ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative me njohjen reciproke në qendër.

Kurse, Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur publikisht përkrahjen e saj për themelimin e Asocacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas deklaratës publike të ambasadës, Kosova me themelimin e Asocacionit nuk cënon kushtetutën apo sovranitetin e saj, përkundrazi ndërton të ardhmen e saj drejt strukturave euro-atlantike.

“Plotësisht pajtohemi: Përkushtimi i Kosovës për të themeluar Ascocacionin e Komunave me shumicë serbe nuk minon kushtetutën ose kërcënon sovranitetin e saj. Në të kundërtën, me themelimin e Asocacionit, Kosova do të bëjë hap të rëndësishëm për të ardhmen esaj si shtet multietnik, i integruar në strukturat euro-atlantike”, shkruhet në postimin ambasadës.

Mirëpo, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të draft-statutit, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se ky ka qenë edhe qëllimi i kësaj organizate gjatë hartimit të këtij drafti dhe njëherit që ai të jetë në përputhje dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, statuti i Asociacionit nuk do të këtë kompetenca ekzekutive. Ai bëri të ditur se me këtë dokument kanë filluar të punojnë qysh para një viti.

“Ky është një propozim për diskutim publik, qëllimi i organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung ishte që të japim një kontribut për debatin publik. Edhe më parë ka pasur shumë debate por askush nuk ka ofruar një propozim publik për këtë”, tha Schlee për RTK.

Sipas tij ky draft duhet të shihet vetëm si fillim i bisedës dhe kurrsesi si version përfundimtar, se si duhet të duket ai.

Mirëpo, analisti Rrahman Paçarizi thotë se i ka quajtur të dëmshme marreveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe planin franko – gjerman.

Ai thotë se politika kosovare duhet me vendos se cilën marrëveshje me pranu, asociacionin apo planin franko – gjerman.

Çfarë u diskutua për Asociacionin në ambasadën amerikane?

Aktivistja Milica Andriq-Rakiq, që udhëheq me organizatën “NDI” me bazë në Mitrovicë, ka folur pas takimit që u mbajt në ambasadën amerikane për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku ajo vetë ishte njëra nga pjesëmarrëset.

“Më shumë se dy orë u bisedua se qysh do të funksionoj Asociacioni i Komunave Serbe, në kuadrin ligjor të Kosovës e sipas marrëveshjes së Brukselit dhe se cilat shërbime mund t’i ofroj AKS-ja. Nuk pati konkluza të përbashkëta, kishte qëndrime të ndryshme”.

“Debati ishte i civilizuar dhe bashkëbiseduesit u respektuan. Nga ana e tyre përfaqësuesit e institucioneve thanë se ende nuk e kuptojnë, pse duhet bërë Asociacioni, dhe pse për këtë Pakoja e Ahtisarit, s’ju përgjigjet nevojave të komunitetit”, tha Andriq-Rakiq.

Ajo tregoi se çka më saktë kërkuan përfaqësuesit e komunitetit serbë, në konsultimet që nisën në orën 10 e përfunduan në ora 12.

“Nga ana tjetër sa i përket komunitetit serb, kishte shumë vërejtje sesi po zbatohet ligji, deri në çfarë mase respektohen të drejtat e pakicave. U përmendën problemet me paisjen me libra, pastaj ato me importin e barnave dhe qasjen në shërbimet shëndetësore e të tjera në sistemin kosovarë”, shtoi ajo.

Ndërsa, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.

“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje.

Çfarë parasheh draft-statuti?

Sipas draft-statutit të publikuar, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.

Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.

“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sipas dokumentit në fjalë,Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Sipas draft-statutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse. /Gazeta Enigma/.

Related Articles