Presioni nga Kurti për ngritjen e aktakuzës, Isufaj: S’merremi me përceptime të askujt, jemi institucion i pavarur

Presioni nga Kurti për ngritjen e  aktakuzës, Isufaj: S’merremi me përceptime të askujt, jemi institucion i pavarur

Kryeprokurori Blerim Isufaj u pyet nga gazetarët rreth ndikimit të presionit të bërë nga kryeministri, Albin Kurti, dhe krerët e tjerë institucional, për ngritjen e aktakuzës për sulmin agresor në Banjskë, shkruan Gazeta Enigma.

Isufaj tha se s’ka pasur një ndikim të tillë dhe se Prokuroria Speciale nuk merret me perceptime dhe s’komenton deklaratat e askujt.

Ai shtoi se Prokuroria Speciale është institucion i pavarur dhe ka përgjegjësi për ndjekjen e personave që kryejnë vepra penale.

“Nuk merret me perceptime ose paragjykime te askujt, nuk komentojme deklaratat e askujt. Jemi institucion i pavarur me kompetencë dhe përgjegjësi për ndjekjen e personave qe kryejnë vepra të ndryshme penale”, tha Isufaj para gazetarëve.

Kryeministri Kurti shpeshherë kishte kritikuar Prokurorinë Speciale, që edhe pse javët po kalonin, ende s’kishte ngritur aktakuzë për të dyshuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Kurti kishte thënë se edhe përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, ndërsa kishte shtuar se edhe mosinformimi për këtë sulm për të ishte e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, kishte deklaruar Kurti gjatë një konferencë në dhjetor të vitit të kaluar, ku bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën kishin shpalodur disa detaje mbi sulmin e 24 shtatorit.

Në konferencën e sotme, Kryeprokurori Isufaj njoftoi se është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, si të dyshuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht duke zhvilluar hetime disamujore në këtë rast të madh dhe shumë kompleks. Pas përfundimit të hetimeve dhe analizimit të provave, duke u mbështetur në dyshimin e mirëbazuar sot kemi ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”, tha Isufaj ndër të tjera.

Related Articles