Së shpejti pritet që Emisari Special nga Britania e Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, do ta vizitojë Kosovën.
Kjo u bë e ditur nga burimet e Gazetës “Enigma”, anipse zyra për media e ambasadës britanike në Kosovë nuk e kanë konfirmuar, por as mohuar një gjë të tillë.
“Sir Stuart Peach aktualisht është duke vizituar të gjitha vendet e rajonit për vizitat e parë në kapacitetin e tij të ri, për të dëgjuar nga të gjithë hisedarët nga dora e parë për prioritetet dhe brengat e tyre. Ai nuk planifikon të bëjë ndonjë koment substancial publik në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës britanike për Gazetën “Enigma”.
Ndryshe, më 2 dhjetor, Marshalli i aeronautikës, Sir Stuart Peach është caktuar si i dërguari i ri i posaçëm britanik në Ballkanin Perëndimor.
Vlen të theksohet, se sot ka përfunduar vizita zyrtare e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarit të SHBA-së, Gabriel Escobar.
Këta të fundit, pas diskutimeve dhe takimeve me liderët politike kosovarë, kanë vazhduar vizitën edhe në Beograd, ku do të priten nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Gazeta Enigma/.