Prishtina me opsion rezervë, nëse eliminohet në FIBA Europe Cup, vazhdon në ENBL

Prishtina me opsion rezervë, nëse eliminohet në FIBA Europe Cup, vazhdon në ENBL

Sigal Prishtina është e vendosur për më shumë ndeshje me kundërshtarë evropianë në edicionin e ri. Skuadra prishtinase ka premtuar kthim të fuqishëm në edicionin 2022/2023, ndërsa pos në Superligën e Kosovës në basketboll, do të sfidohet edhe në një garë me shtrirje më të gjerë. Liga Ballkanike, ku Prishtina luajti edicionin e kaluar, aktualisht nuk përmendet si opsion.

Prishtina fillimisht do ta kërkojë suksesin në FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane për klube të basketbollit. Nëse në FIBA Europe Cup nuk arrin në fazën grupore, atëherë Prishtina do të paraqitet në një ligë ndërkombëtare që është formuar vetëm vitin e kaluar. Në basketboll, për dallim nga futbolli, lejohen edhe ligat regjionale e po ashtu ligat që nuk janë të shtrira vetëm në një regjion. E tillë vlerësohet “European North Basketball League”, ku mund të garojë Prishtina.

Sa u takon garave evropiane, Euroliga vazhdon ta ketë primatin. Pas saj vjen EurCup, të cilën po ashtu e organizon Euroliga. Liga e Kampionëve është gara kryesore e FIBA Evropës për klube të basketbollistëve, por vetëm e treta për nga niveli i klubeve. Dhe pas saj vjen FIBA Europe Cup.

Prishtina më 28 shtator do ta luajë ndeshjen gjysmëfinale të rundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Në Jonava të Lituanisë do të takohet me Kalev/Cramon e Estonisë apo Cedevia Junior të Kroacisë. Nëse e fiton këtë ndeshje e po ashtu finalen, atëherë kalon në fazën grupore. Nëse del në grupe, Prishtina ka të garantuara shumë ndeshje evropiane dhe nuk paraqitet në ENBL. Por nëse nuk del në grupe të FIBA Europe Cup, Prishtina i bashkohet ligës ENBL.

Fakti se ENBL-ja është pajtuar ta presë Prishtinën, është dëshmi se kjo ligë ka telashe me numrin e skuadrave të interesuara. Sikur të kishte interesim, gjasat që Prishtina do të pritej për ta mësuar fatin në FIBA Europe Cup do të ishin shumë të vogla.

Te Prishtina e kanë përmendur edhe mundësinë që të mos paraqiten në Superligën e Kosovës në basketboll deri në një fazë të vonshme të saj. Por deri më tani FBK-ja nuk ua ka ofruar skuadrave një privilegj të tillë dhe këtë nuk do ta bëjë as për këtë edicion. Orari tashmë u është dorëzuar klubeve.

“Klubi i basketbollit Sigal Prishtina do t’i bashkohet ‘European North Basketball League’ nëse nuk kualifikohet për stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup”, ka njoftuar ENBL-ja në faqen zyrtare.

ENBL-ja është formuar vetëm vitin e kaluar. Në edicionin e parë morën pjesë skuadra si Anëil (Poloni), Brno (Çeki), Borisfen (Bjellorusi), Enisey (Rusi), Liepaja (Letoni), Shiauliai (Lituani), Tartu (Estoni) dhe Valmiera (Letoni). Enisey e Borisfen ndërkohë u larguan nga gara pasi nisi lufta në Ukrainë. Titullin e kampionit e fitoi Anëili.

Skuadrat nga Rusia e Bjellorusia nuk do të jenë në edicionin e ri të ENBL-së, kështu që kjo ligë do të shtrihet edhe në vende të tjera. Me shumë mundësi edhe në Kosovë.

Trefl Sopot, Enea Zastal, Start Lublin dhe King Wili Morskie Szczecin të Polonisë, Tal Tech Optibet e Tartu të Estonisë, Brno e Çekisë, Budyvelnyk Kyiv e Ukrainës janë skuadrat e konfirmuara në ENBL. Ndërkohë Shiauliai e Lituanisë do të paraqitet në këtë ligë nëse nuk arrin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Edhe Kosova e Shqipëria kanë ligë të përbashkët, Ligën Unike. Por kjo ligë nuk e kishte cilësinë që e kishte në edicionin e kaluar Superliga e Kosovës. Skuadrat nga Shqipëria ende janë nivel më i ulët. Liga Unike do të zhvillohet edhe në edicionin e ri. Kështu skuadrat kosovare do të kenë shtrirje në disa liga. Ndoshta edhe në Ligën Ballkanike, me të cilën FBK-ja ka kohë që thuajse i ka ngrirë raportet.

Related Articles