Tuchel i shqetësuar: Kundërshtarët na mundin lehtësisht, kështu nuk dilet kampion!

Tuchel i shqetësuar: Kundërshtarët na mundin lehtësisht, kështu nuk dilet kampion!

Pas disfatës në transfertë me Leeds United, Chelsea doli pa pikë edhe nga ndeshja e dytë radhazi jashtë shtëpie teksa u mposht në fushën e Southampton me rezultatin 2-1. Edhe pse “Blutë e Londrës” kaluan të parët në avantazh me anë të Raheem Sterling, vendasit gjetën forcën për të reaguar dhe përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë, për ta menaxhuar më pas atë për të gjithë ndeshjen.

Pas sfidës, trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel u shfaq i shqetësuar për myënyrën si skuadra humbi të dytën ndeshje jashtë fushe këtë sezon ndërsa shtoi se kundërshtarët i mposhtin lehtësisht të besuarit e tij.

“Më duket sikur në transfertë jemi shumë të lehtë dhe nuk jemi në gjendje t’i fitojmë ndeshje të tilla. Kjo humbje ngjason shumë me atë ndaj Leeds. Për kundërshtarët duket shumë e lehtë të na bëjnë konfuzë në fushën e lojës, duhet ta kuptojmë këtë pjesë dhe të punojmë për ta rregulluar.

Humbasim përqëndrimin dhe planin tonë të lojës, më duket sikur është shumë e lehtë që të na mundin. Na duhet një mentalitet më i fortë, të paktën në mbrojtje. Nuk duhet të pësonim asnjë prej golave, kjo humbje duhej evituar nëse pretendojmë që në fund të mund të fitojmë Premier League”, u shpreh Tuchel.

Related Articles