30 ditë paraburgim i janë caktuar qytetarit 51 vjeçar me inicialet H.M., i cili dyshohet të ketë abuzuar seksualisht me një vajzë gjashtëvjeçare në Prishtinë.
Por, ky nuk është rasti i vetëm i raportuar brenda një dite nga Policia e Kosovës, në të cilat viktima janë fëmijët.
Abuzimet seksuale me të mitur janë shpeshtuar së fundi.
Avokatja Femije Gashi, për T7 ka thënë se abuzuesit seksuale të fëmijë i presin dënime nga 10 deri në 20 vjet.
“Rastet e tilla janë shumë të ndëshkueshme, andaj parashihet dënimi 10 deri 20 vjet, me një fjalë këto raste janë të ndëshkueshme sa një vrasje e rëndë”, ka thënë ajo për televizionin.
I tillë, sipas avokates, është edhe rasti i gjashtëvjeçares.
“Nëse vërtetohet një gjë e tillë, kjo është shumë e dhembshme, shumë e tmerrshme edhe besoj që gjykata do ta ketë fjalën për të dhënë një gjykim të merituar”, ka shtuar ajo.
Në Kodin Penal të Kosovës, pedofilia nuk përmendet si vepër e veçantë penale, ndonëse marrëdhënia seksuale me personat nën moshën 16-vjeçare është vepër e dënueshme.
Klevis Vaqari, menaxhere në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, ka thënë se Kodi Penal ka nevojë të ndryshohet.
“Ne mendojmë që kodi penal ka ende nevojë për përmirësim, qoftë për ashpërsim të vendimeve, sanksioneve apo edhe për ndalim të punësimit të personave që janë dënuar më parë për vepra të tilla në mjedise ku ka fëmijë”.
Sipas Vaqarit, vetëdijesimi i popullatës është një ndër faktorët që do të ndikonte që ky fenomen të zvogëlohej.
“Këtu nuk bën përjashtim as vetëdijesimi i vetë fëmijëve për ta njohur këtë fenomen, për të pranuar që është i gabuar dhe për t’u mësuar për t’i thënë jo ati fenomeni”.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prizren ka konfirmuar për televizionin T7 të premten se ndaj një tjetër të pandehuri, po ashtu i dyshuar për abuzim seksual me të mitur, masa e paraburgimit ka përfunduar më 27 qershor.
Bëhet fjalë për rastin e bujshëm të një profesori, për të cilin prokuroria nuk ka kërkuar që t’i vazhdohet paraburgimi dhe tashmë ai është i lirë.