Prishtinë: I mituri ther aksidentalisht me thikë shokun e tij në oborrin e shkollës ‘Gjin Gazulli’

Prishtinë: I mituri ther aksidentalisht me thikë shokun e tij në oborrin e shkollës ‘Gjin Gazulli’

Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve, por ka herë kur ndodh që aksidentalisht shkaktojnë lëndime te personat e tjerë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur së fundi në oborrin e shkollës së mesme elektroteknike ‘Gjin Gazulli’, ku një person i mitur ka mbetur i therur me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se i mituri është dërguar me plagë në këmbë. Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Polici dhe si rrjedhojë i dyshuari është paraqitur në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i mituri të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Related Articles