Sot në media u raportua për një tentim vrasje që ka ndodhur të dielën në lagjen “Përroi i Njelmët” në Prishtinë, ku dy persona janë sulmuar me mjete të mprehta nga dy të rinj, si pasojë e një konflikti.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Valmir dhe Arian Sinani, njëri 27 e tjetri 22-vjeç.
Ata po dyshohen se pas një mosmarrëveshje në komunikacion, kanë sulmuar me thika dy viktimat, duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e plagëve, të njëjtit janë dërguar në Emergjencë, ku edhe kanë marrë trajtimin mjekësor e më pas janë transferuar në njërën nga klinikat tjera për kontrollet e nevojshmve.
Në anën tjetër, dy të dyshuarit pas arrestimit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.