Intervenimi në një rast të dhunës në një familje në qytetin e Prizrenit, shkaktoi shumë telashe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Tre nga zyrtarët policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë kanë mbetur të plagosur pasi u therën me thikë nga 37-vjeçari, Caner Galan.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se policia ka gjetur edhe bimë narkotike në shtëpinë e Galan dhe i njëjti dyshohet se është përdorues i drogës.
Galan është arrestuar dhe ndaj tij pritet të merren veprime ligjore, pasi dyshohet se ka sulmuar me thikë tre zyrtarë policorë të cilët ishin thirrur për ndihmë nga familjarët e tij. Kjo sepse 37-vjeçari ishte mbyllur në dhomë dhe refuzonte të merrte ilaçet e tij.
Sipas togerit të policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, gjendja shëndetësore e policëve është stabile dhe të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Njëri nga policët që ka marrë lëndime më të rënda trupore, është transportuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku pritet t’i nënshtrohet ekzaminimit nga kirurgët plastikë për t’i evituar pasojat e mëvonshme nga plagët e marra.