Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se gjendja aktuale me mungesë të energjisë elektrike në Kosovë është si një kthim prapa në kohë, konkretisht në vitin 2000, duke e çuar vendin 25 vjet mbrapa.
Derisa ka publikuar disa fotografi të Ferizajt, i cili po përballet me reduktime të mëdha të rrymës, Tahiri ka thënë se Qeveria po luan me ndjenjat e popullit, shkruan Gazeta Enigma.
Ai e ka akuzuar Qeverinë për tradhti ndaj popullit, duke thënë se nuk po shqetësohet fare për gjendjen aktuale me energjinë elektrike.
“Kolapsi energjetik në Ferizaj dhe kaosi energjetik në Kosovë tregon se kjo Qeveri as nuk ka dije, as nuk shqetësohet fare për evitimin dhe as tejkalimin e kësaj gjendje të rëndë. Kjo është rikthim në vitin 2000, pra 25 vjet pas. Loja me ndjenjat e popullit të Kosovës është tradhti ndaj besimit popullor. Fundi i këtij eksperimenti është i afërt”, ka shkruar ai në Facebook.
Komuna e Ferizajt është ndër vendet të cilat po përballet më së shumti me reduktime të energjisë elektrike gjatë ditëve të fundit./GazetaEnigma/