Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se procesi i vetingut në Kosovë do të zgjasë 5 vjet. Ajo thotë se gjatë hartimit të procesit janë shërbyer me koncept-dokumentin e Komisionit të Venecias.
Haxhiu po ashtu thotë se është e rëndësishme që ky mekanizëm të mos zgjasë përjetësisht por vetëm për një afat të caktuar.
“Ne jemi shërbyer gjatë hartimit të koncept-dokumentit edhe me opinionin e Komisionit të Venecias për rastin e Shqipërisë e vendeve tjera. Aty Komisioni vlerëson se një veting i tillë me mekanizëm të jashtëm si në Shqipëri është i mundshëm dhe në përputhje me standarde evropiane. Po ashtu thotë se është i rëndësishëm që ky mekanizëm i jashtëm të jetë i kufizuar, të mos ekzistojë përjetësisht. Pikërisht këtë po e bëjmë”.
“Jemi duke tentuar t’i përshtatemi opinionit. Do të zgjasë 5 vjet, fillon prej niveleve të larta. Në momentin kur arrijmë të verifikojmë këshillin gjyqësor, atë prokurorial, kryeprokurorin e shtetit si institucion, kryeprokurorët e prokurorive, atëherë besoj se 50-60 për qind të punës e përfundojmë”, tha Haxhiu në KTV.
Ajo ka thënë se është në mandat të Qeverisë të bëjë reforma në drejtësi. E po ashtu për që ato janë të nevojshme thotë se tregojnë edhe raportet, si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe po ashtu Raporti i Progresit. /Gazeta Enigma/.