Në ditën e sotme i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e Listës Serbe në veri të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë pas takimit me udhëheqësit e Listës serbe se kanë biseduar për tema të rëndësishme, i pyetur se a ka pasur pajtim që të shtyhet për tre muaj çështja e reciprocitetit, Lajçak ka thënë se ka shumë spekulime dhe nuk di asgjë për këtë.
Escobar u shpreh për takimin me përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës, se do të flasë më vonë gjatë qëndrimit të planifikuar në Beograd.
“Unë vetëm dua të them se i kemi marrë parasysh shqetësimet e kryetarit të Komunës. Misioni ynë vazhdon në Beograd. Shpresoj se nga atje do të jemi në gjendje të dalim me një njoftim”, tha Escobar.
Lidhur me këto takime në veri të Kosovës nga të dërguarit special nga ShBA dhe BE, Gazeta Enigma ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula.
Pula u shpreh se Lajçak dhe Escobar me takimet e fundit si në Kosovë dhe tani që do zhvillohet në Beograd, po bëjnë përpjekjet e tyre rreth vendimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës, me të gjitha palët e përfshira në dialog.
“Përfaqësuesi special i UE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar po bëjnë përpjekjet e tyre me të gjitha palët, përsa i takon temës mbi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për tabelat e veturave dhe dokumentet identifikuese”, u shpreh Pula.
Njohësi i çështjeve politike theksoi se përfaqësuesi i UE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se do të ketë takime para 1 shtatorit, përpjekje kjo për të përafruar qëndrimet e të dy palëve në dialog.
“Përfaqësuesi i lartë i UE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se para 1 shatorit do ketë takime të radhës për të përafruar qëndrimet palët në dialog”, tha Pula për Enigmën.
Sipas tij pengesa e procesit të dialogut është mos insistimi i Brukselit ndaj Beogradit që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen.
Ndër të tjera tha se Brukseli po tregon mungesë paanshmërie ndaj procesit të dialogut.
“Ajo çfarë po e lëndon të gjithë procesin është mos insistimi i Brukselit zyrtar kundrejtë Beogradit zyrtar që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen dhe të mos rezistojnë ndaj reciprocitetit. Njëherit, Brukseli zyrtar po tregon mungesë paanshmërie ndaj këtij procesi sepse do duhej me ngulm t’i kërkohej Beogradit t’i respektoj gjitha ato që i ka nënshkruar dhe t’a inkurajoj për sjellje fqinjësore, por, fatkeqësisht këtë nuk po e dëgjojmë si thirrje nga Brukseli!”, deklaroi Pula.
“E gjitha kjo situatë, dhe mos insistimi i tyre për zbatim të marrëveshjeve të arritura vite më parë, na tregon një dozë të anshmërisë ndaj palës serbe e cila po bën rezistencë në moszbatueshmëri të vendimeve”, përfundoi ai.
Kurse politologu Fidan Ukaj, u shpreh se këto vizita janë rezultat i dështimit për të arritur në një zgjidhje finale rreth targave dhe dokumenteve të identifikimit në Bruksel.
“Ardhja e dyshës Escobar – Lajçak në Kosovë vije në kohën kur në Bruksel dështuan përpjekjet për të gjetur një zgjidhje mbi targat dhe dokumentet e identifikimit. Gjitha takimet me kreret e institucional të Republikës së Kosovës e po ashtu edhe ato në pjesën veriore e ato që do të ndodhin në Serbi nga ana e misarëve ndërkombëtarë bëhen në përpjekje për të gjetur zgjidhje para dates 1 shtator”, tha Ukaj për Enigmën.
Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, sot në Beograd do të takohen me drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./GAZETAENIGMA/