Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dalë me detaje rreth aksionit ku u godit një grup kriminal në Prishtinë, e që rezultoi me arrestimin e 10 personave.
Arrestimet janë kryer pas një bastisje dhe kontroll në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës, lidhur me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së, ku ishte sulmuar vetura e drejtorit të QKUK-së. Sipas Prokurorisë, në mesin e të arrestuarve, ka edhe shtetas të Shqipërisë.
Ata dyshohen për veprat penale ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, paisijeve apo matrialeve narkotike’’, si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
“Me këtë rast, nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një (1) sasi e konsiderueshme e substancave psikotrope narkotike, armë zjarri, si dhe prova të tjera matriale, të cilat do të përdoren në procedurën hetimore. Prokurori i shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes. Të dyshuarit janë ndaluar dhe brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, thuhet në njoftim.
Për aksionin u deklarua fillimisht Policia e Kosovës, ku tha se janë bastisur tri lokacione.
Policia tha se gjatë operacionit janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë armë të zjarrit, municion, pajisje elektronike, pranga, substanca narkotike dhe mjete për kultivimin e tyre.
Nga Rimanishta është konfiskuar një pistoletë, një armë automatike AK-47, 142 kilogramë kanabis dhe pajisje për përpunim.