Zyra e Prokurorit të Specializuar ka refuzuar t’i pranojë masakrat që u kryen nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Kjo u vu në pah pasi gjyqtari i procedurës paraprake kishte urdhëruar avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’i paraqitnin faktet për të cilat pajtohen të dy palët.
Në shkresën e përbashkët, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kishin renditur 135 krime me masakrat më evidente të kryera përgjatë luftës. Asnjë prej masakrave nuk u pranua si fakt nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. ZPS për këtë më 10 nëntor e njoftoi Mbrojtjen.
Pasi kishte paraqitur në dy anekse faktet për të cilat ishin pajtuar me Mbrojtjen, të tilla si informacione personale të të akuzuarve, organi i akuzës ka treguar se me Mbrojtjen nuk pajtohet për masakrat.
“ZPS uk pajtohet me faktet e gjetura në propozimin e përbashkët të Mbrojtjes. Fakte të tilla kanë të bëjnë me krime të cilat nuk janë në Aktakuzë dhe çdo marrëveshje për të nuk do t’i përshpejtonte procedurat”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë për faktet e dakorduara.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kishin theksuar në shkresën e tyre të përbashkët ku theksonin masakrat ndaj familjes Jashari në Prekaz, masakrën e Reçakut, Çikatovës së Vjetër e masakrën e Mejës.
“Avokati i Hashim Thaçit, avokati i Kadri Veselit, avokati i Rexhepit Selimit dhe avokati i Jakup Krasniqit (së bashku, “Mbrojtja”) njoftojnë gjyqtarin e procedurës paraprake se më 31 tetor 2022 kanë dorëzuar propozim të përbashkët për marrëveshje mbi 135 fakte lidhur me krimet e kryera nga forcat serbe në vitet 1998/1999 në Kosovë, siç janë detajet e masakrës së familjes Jashari në Prekaz në mars 1998, të masakrës së Reçakut e janarit 1999, masakrës së Çikatovës së Vjetër, dhe masakrën e Mejës në prill 1999”, thuhet në shkresën e Mbrojtjes.