Prokuroria ende pa asnjë të dyshuar për vrasjen e katër turistëve rusë në Shqipëri

Prokuroria ende pa asnjë të dyshuar për vrasjen e katër turistëve rusë në Shqipëri

Prokuroria e Kavajës e cilëson vrasje në rrethana cilësuese vdekjen e katër turistëve rusë në zonën e Qerretit.

Ngjarja ndodhi më 15 tetor, ku turistët u gjetën pa shenja jetë në mjediset e SPA-së të hotel “Gloria Palace”.

Deri tani Prokuroria nuk ka asnjë person të shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë pavarësisht se e cilëson vrasje.

“Deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë”, thotë organi i akuzës.

Pasi kanë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni me ngjarjen, Prokuroria pritet të bëjë vlerësimin e tyre me njëra-tjetrën dhe të përcaktojë ecurinë e hetimeve, raporton Euronews Albania.

Prokuroria e Kavajës thotë se po punon për “përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë” dhe kërkon që të respektohet ruajtje e sekretit hetimor.

Katër turistë rusë, Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov, prej disa ditësh ishin strehuar në një hotel në Qerret.

Fillimisht u dyshua për asfiksim nga qëndrimi i gjatë në pishinë dimërore, por ashtu siç edhe prokuroria konfirmon në fakt bëhet fjalë për vrasje.

Related Articles