Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë

Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hapur rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” pas vdekjes tragjike të tre fëmijëve të shtunën pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës.

Prokuroria tha se po i ndërmerr “të gjitha veprimet e nevojshme” për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike, për të cilin thotë se Policia e informoi në mesnatë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve, tha Prokuroria.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 dhe tjetri 14 vjeç – ishin brenda kur u zunë nga pllaka.

Majori i Policisë, Milazim Lumi tha se objekti kishte mbetur i pabanuar që prej luftës më 1999.

Related Articles