Prokuroria jep detaje për aksionin tek Agjencia Kadastrale dhe ajo e Arkivave, disa të arrestuar për keqpërdorim të pronës publike

Prokuroria jep detaje për aksionin tek Agjencia Kadastrale dhe ajo e Arkivave, disa të arrestuar për keqpërdorim të pronës publike

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar sot në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, bastisjet janë kryer në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime, ku janë shoqëruar në polici pesë persona nën dyshimin për bartje të kundërligjshme të pronës publike në private.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, njofton opinionin publik, se në kuadër të çështjes penale me shenjën PP.I.126K/23, ka realizuar sot bastisje dhe kontroll të autorizuar nga Gjykata, në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Kontrolli është zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione tjera me interes për hetimin. Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B., B.Sh., M.B. dhe Z.Sh., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimet lidhen me një rast të dyshuar për bartje të paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Sipas Prokurorisë, prona në fjalë ndodhet në Veternik të Prishtinës dhe është në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP.

“Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike”, thuhet në njoftim.

Related Articles