Prokuroria jep detaje rreth bastisjes në Ministrinë e Bujqësisë

Prokuroria jep detaje rreth bastisjes në Ministrinë e Bujqësisë

Njësiti i Krimeve Ekonomike e ka bastisur Ministrinë e Bujqësisë e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci, raporton Gazeta “Enigma”.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, ku edhe ka bërë e ditur se e kanë autorizuar Policinë e Kosovës që të kryejë veprime hetimore në Ministrinë e Faton Pecit.

Sipas njoftimit, disa zyrtarë të kësaj ministrie po dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

“Prishtinë, 20 mars 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Zyrtarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së“. /Gazeta Enigma/

Related Articles