Prokurorja Dulina Hamiti ka thënë se aktakuza për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliut dhe të tjerëve, është e bazuar në prova dhe dëshmi të mjaftueshme.
Ajo gjithashtu tha se aktakuza është ngritur brenda afatit ligjor. Këtë deklarata ajo i ka dhënë në seancën e shqyrtimit të dytë, ku bashkë me Aliun, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, të njëjtat i ka kundërshtuar prokurorja Dulina Hamiti, duke kërkuar nga gjykata refuzimin e tyre si të pabazuara.Sipas saj, pretendimet e paraqitura nga ana e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre ishin tërësisht të paqëndrueshme dhe të pabazuara.
Ajo tha se aktakuza është mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme e të pranueshme.
“Kjo aktakuzë është ngritur konform dispozitave ligjore dhe brenda afatit ligjor, andaj i propozojmë gjykatës që të refuzoj si të pabazuara këto kërkesa të mbrojtjes dhe brenda afatit ligjor të caktohet shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë prokurorja.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Liburn Aliu ka thënë se aktakuza ishte ngritur pas afatit ligjor dhe se ndaj Aliut nuk ka pasur kallëzim penal nga policia, por vetëm nga i dëmtuari Dan Imeri.
Ndërsa i akuzuari Aliu ka thënë se refuzimi i kërkesës për ndërtim individual ishte bërë pasi në atë vend ishte paraparë ndërtimi i shkollës, çerdhes dhe ambulantes.“Refuzimi i kërkesës së Dan Imerit dhe të tjerëve është se Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual të banimit ndërsa me planin rregullues urban Prishtina e Re – Zona perëndim, parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka thënë se me planin rregullues urban të miratuar më 2 tetor 2013, që i bie pas planit zhvillimor të miratuar më 24 shtator 2013, çfarëdo dokumenti i planifikimit hapësinor i nivelit lokal i nënshtrohet tri herë vendimeve të Kuvendit Komunal në tri mbledhje të ndryshme për cilindo dokument.
Avokati Arbër Istrefi, mbrojtës i të akuzuarit Ardian Olluri, ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj të mbrojturit të tij e ka vënë interesin individual mbi atë të përgjithshëm.Sipas tij, prokuroria në njërën anë e akuzon të mbrojturin e tij se nuk e kishte zbatuar planin zhvillimor urbanistik, ndërsa në anën tjetër propozon si provë vendimin mbi miratimin e planit rregullativ urban, i 2 tetorit 2013, duke mos e mohuar se ekziston ky plan.
Por sipas avokatit, ajo ishte bazuar në një vendim të MMPH-së, i cili vendim nuk ishte as përfundimtar.Se ky vendim nuk është përfundimtar, sipas avokatit Istrefi, e ka vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ, kur kishte vendosur lidhur me padinë e Komunës së Prishtinës për anulimin e vendimit të MMPH-së, me të cilin aktvendim gjykata me 3 gusht 2018 e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, pasi sipas gjykatës, vendimi i atakuar nuk ishte vendim përfundimtar.
“Nuk ekziston asnjë element i cili të mbrojturin tim e vërteton se ka shkaktuar inkriminim të veprave penale, pasi që i njëjti ka zbatuar planet e lartëtheksuara dhe po ashtu bashkryerja në rastin konkret nuk ekziston, sepse të gjithë të pandehurit janë profesionist të fushës, janë të pavarur në vendimet e tyre dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se veprimi në kundërshtim me vendimet e kuvendit komunal, në kundërshtim me planin rregullues, në kundërshtim edhe me vendimet e Kryetarit të Komunës, përbëjnë vepër penale”, ka thënë avokati.
I njëjti i ka propozuar gjykatës që këtë aktakuzë ta hedhë poshtë në tërësi dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga ndjekja penale.Ndërsa i akuzuari Ardian Olluri ka thënë se të gjitha kërkesat dhe lejet ndërtimore ishin zbatuar në bazë të planit rregullues urbanistik.
Sipas tij, nëse kishin vepruar ashtu siç pretendon prokuroria, atëherë do të kishin shkelë edhe parimet e ligjshmërisë dhe diskriminimit, duke i shkaktuar dëm edhe komunës dhe qytetarëve, sepse do ta kishin lënë atë zonë pa shëndetësi dhe pa shkollë.
Se aktakuza ishte ngritur jashtë afatit ligjor, më konkretisht dy muaj pas afatit, e ka thënë mbrojtësi i Zejnulla Rexhepit, avokati Behar Ejupi.
Sipas tij, prokuroria kishte propozuar që të administrohet një provë “projekti të cilin e ka punuar për lagjen Prishtina e re i pandehuri Zejnulla Rexhepi”, që sipas avokatit, ky projekt ka të bëjë me asfaltimin e rrugës e jo me atë që pretendon prokuroria, pasi sipas tij, ishte i bindur se kjo provë nuk ekziston.
“Jam i bindur se kjo provë nuk ekziston dhe mbi bazën e kësaj prove i mbrojturi im është ulur në bankën e të akuzuarve”, ka thënë avokati Ejupi, duke shtuar se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk kishte punuar projekt për lagjen “Prishtina e re”.
Mbrojtësi i Nazife Krasniqit, avokati Jeton Maqedonci ka thënë se e mbrojtura e tij kishte vepruar konform ligjit dhe rregulloreve dhe asnjëherë nuk kishte vepruar për interesa personale, prandaj sipas tij, gjykata duhet të hedhë këtë aktakuzë.
Aktin akuzues e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i Bahtie Ukës, avokati Destan Rukiqi. Sipas tij, prokuroria e kishte propozuar që të administrohet si provë një CD e paraqitur nga pala e dëmtuar, në të cilën janë deklarata të Liburn Aliut dhe njëra e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.Sipas tij, një deklaratë e të pandehurve e dhënë jashtë procesit hetimor nuk duhet të merret si provë, prandaj dhe tha se kjo provë duhet të shpallet e papranueshme, ndërsa nëse vendoset që të shkohet në shqyrtim gjyqësor, avokati tha se në cilësinë e dëshmitarit duhet të dëgjohet Shpend Ahmeti.Aktakuzën e prokurorisë e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i Mimoza Berisha- Prestreshit, avokati Florin Vërtopi.
Ai ka thënë se kallëzimi penal në emër të të gjithë të dëmtuarve e ka nënshkruar pa autorizim Dan Imeri.Avokati Vërtopi ka deklaruar se mbi këtë bazë prokuroria ishte dashur që menjëherë të hedhë këtë kallëzim penal, e jo të fillojë hetimet.