Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit të moshuarit nga Prizreni, i cili dyshohet për pedofili.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se ai dyshohet për veprën penale “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”.
“Prizren, 29 prill 2022- Prokuroria Themelore në Prizren- Departamenti për të Mitur, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.K., i cili gjendet në ndalim 48 orësh nga data 28.04.2022. Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri F.K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet” nga neni 231 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
“Piranjat” i ra në gjurmë 70-vjeçarit nga Prizreni, i cili e bëri shoqe në Facebook gazetaren e cila u paraqit si vajzë e mitur.
Gazetarja e maskuar si një adoleshente kur mbërrin në Prizren prezantohet për herë të parë përballë mësimdhënësit, i cili pa e zgjatur e fton në shtëpinë e tij.
Por më pas gazetarja i tregon saktë se kush është dhe i njëjti largohet duke kërkuar që të fiket kamera televizive.