Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve që u arrestuan mbrëmë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan. Që nga mbrëmë, ata ndodhen në ndalim.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka deklaruar Shala.
Policia nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh këtë rast.
Lidhur me vdekjen e të riut, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.
Hetime për rastin ka nisur edhe Avokati i Popullit.
Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri në detyrë ende s’kanë reaguar lidhur me rastin.