Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se gjatë vitit 2024 ka pasur në punë gjithsej 2 mijë e 210 kallëzime penale, përfshirë Departamentin e Krimeve të Rënda, Departamentin e Përgjithshëm dhe Departamentin për të Mitur.
Sipas një njoftimi të lëshuar për media thuhet se janë zgjidhur gjithsej 2 mijë e 157 raste, ashtu që nga numri i përgjithshëm janë kryer 97% e lëndëve.
“Gjatë vitit 2024 përmes procedurave alternative, duke përfshirë edhe urdhëratë ndëshkimor janë zgjidhur 40.8% e rasteve”.
“Ndërsa, sa i përket veprave penale të dhunës në familje, gjatë vitit 2024 janë ngritur gjithsej 316 aktakuza kundër 360 personave”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se prokuroria mbetet e përkushtuar që të trajtojë me seriozitet të gjitha veprat penale, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. /Gazeta Enigma