Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për një shofer 76-vjeçar nga Kosova, i cili dyshohet për përfshirje në një aksident të rëndë trafiku me katër viktima në qarkoren Radishan–Prishtinë–Mirkovcë.
Sipas prokurorisë, i dyshuari po drejtonte një kamion me targa të Kosovës dhe nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe trafikut, duke humbur kontrollin e automjetit dhe duke kaluar në korsinë e kundërt të lëvizjes.
Më pas, kamioni u përplas me një automjet tip BMW, ku si pasojë e përplasjes të dy mjetet u përfshinë nga flakët. Katër pasagjerët e veturës kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Prokuroria thekson se ekzistojnë rrethana që mund të tregojnë rrezik arratisjeje dhe mundësi përsëritjeje të veprës, ndaj ka propozuar paraburgim për të dyshuarin.
Hetimet për aksidentin tragjik po vazhdojnë.
