Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është duke u mbajtur seanca e paraburgimit ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar këtë masë për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.
Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.
Prezent në seancë janë avokatët e të dyshuarit për Nuredin Lushtaku, Artan Qerkini dhe Shyqri Syla, avokat Agron Hoti për të dyshuarin Faton Lushtakun, si dhe avokat Haxhi Millaku për të dyshuarin Arif Lushtakun.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë të hënën gjatë ditës i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.
Pas shpalljes në kërkim, Lushtaku është dorëzuar në Polici, njofton betimiperdrejtesi.