Është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit kanabis sativa në fshatin Jabllanicë e Vogël. Kjo pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Policisë.
Në komunikatën e përbashkët për media është bërë e ditur se janë sekuestruar gjithsej “91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, një armë zjarri, si dhe është konstatuar kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e këtyre pajisjeve në kuadër të veprimtarisë së kundërligjshme”.
Një person është ndaluar për 48 orë, bëhet e ditur në komunikatë.
Bimët narkotike janë asgjësuar, ndërsa provat tjera do të shërbejnë në procedurën penale.
“Po ashtu, me autorizim të prokurorit të shtetit, njësitet përkatëse policore kanë sekuestruar dhe më pas asgjësuar 91 bimët narkotike, ndërsa provat e tjera të sekuestruara do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftimin e kriminalitetit dhe në vënien para drejtësisë të të gjithë personave që kryejnë vepra penale”, thuhet në komunikatë.
