Konflikt për punimet pranë një prone në Ferizaj, në përleshje përfshihet edhe një 71-vjeçar

Konflikt për punimet pranë një prone në Ferizaj, në përleshje përfshihet edhe një 71-vjeçar

Sot rreth orës 07:50, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për një rrahje në fshatin Doganaj. 

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar tre persona të përfshirë në përleshje fizike: M.H. (47 vjeç), V.H. (43 vjeç), dhe A.H. (71 vjeç).

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se, sipas hetimeve fillestare, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me punime në afërsi të një prone.

Si pasojë e përleshjes, të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në QKMF-Ferizaj.

“Gjatë trajtimit të rastit, policia ka siguruar informacione se njëri nga të dyshuarit posedonte armë zjarri pa leje. Pas pranimit të kësaj, personi A.H. ka dorëzuar një pistoletë dhe 15 fishekë, të cilat janë sekuestruar nga policia” thuhet në njoftim.

Me autorizim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rast për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Rasti është në procedurë të rregullt hetimore.

Related Articles