Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve që kjo prokurori po zhvillon për rastin e shpronësimeve në fshatin Shipitullë.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta e cila ka bërë të ditur se Thaçi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim ndikimi’”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, Halil Thaçi pas daljes nga Prokuroria Speciale kishte deklaruar se ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me këtë rast.
