Prokuroria Speciale zbarkon në Ministrinë  e Bujqësisë, shkak kontrata për fabrikën e mbetjeve shtazore

Prokuroria Speciale zbarkon në Ministrinë  e Bujqësisë, shkak kontrata për fabrikën e mbetjeve shtazore

Prokuroria Speciale sot ka zbarkuar në Ministrinë e Bujqësisë, e cila drejtohet Faton Peci.

Gazeta Nacionale ka mësuar se rasti ka të bëjë me kontratën publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025.

Nënshkrimi i kësaj kontrate nga ministri Peci është vlerësuar si “skandal”.

Gazetari Lirim Mehmetaj, që e ka publikuar këtë kontratë, ka thënë se bëhet fjalë për një skandal masiv korruptiv.

Sipas tij, demet që kjo kontratë ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës arrijnë deri në 60 milionë eurosh.

“Qikjo është një kontratë, kontratë publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025. Befasi, kjo është kontratë e nënshkruar prej Faton Pecit dhe një kompanie private. Kam parë krime të ndryshme, por qesi niveli të krimit ku secili rresht i kontratës është krim më vete, unë kurrë nuk kam parë. Dëmi total është diku rreth 60 milionë euro”, kishte shkruar ai.

Më pas, një hulumtim i “KallxoPërnime” ka nxjerr në sipërfaqe detaje të reja për ftuesin e kontratës.

Hulumtimi ka treguar skemën e fshehjes së pronarëve të vërtetë të njërës prej kompanive që e ka fituar kontratën në Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas këtij hulumtimi, kompania që kishte 30% të aksioneve të kompanisë kosovare, që e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Bujqësisë figuron e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi.

Hulumtimi në fjalë ka gjetur se kompania amë e saj është në Beograd, kurse pronar i kësaj kompanie është një shtetas i Serbisë.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se është i pastër në këtë rast.

Ndonëse kontratën e ka nënshkruar vetë, ai ka thënë se nuk është nën përgjegjësinë e tij të merret me historikun e kompanive.

“Krejt çka ekziston në dosje, prej A deri në Zh, i kemi deponuar në Prokurori. Zyrtarëve që kanë marrë pjesë në procesin e vlerësimit u kam thënë se do të mbajnë barrën e përgjegjësisë”, ka deklaruar Peci, duke mos e marrë asnjë përgjegjësi për këtë rast.

“S’ta kom idenë se kush janë emrat e përveçëm. Nënshkrimi jem kur t’ma bin kontratën unë them a është administru kjo në rregull proceduralisht. Po”, ka deklaruar Peci.

Related Articles