Vrasja e gruas shtatzënë që ndodhi mbrëmë në oborrin e QKUK-së ka tronditur të gjithë në Kosovë.
Dyshohet se 35 vjeçarja është vrarë nga ish-burri i saj. E viktima kishte urdhër të mbrojtjes.
Me këtë rast Prokuroria Themelore e Ferizajt ka deklaruar se realizimi i urdhrit mbrojtës ka qenë në kompetencë të policisë.
Prokuroria thekson se i ka marrë të gjitha masat e nevojshme të parapara me ligj.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së. Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës”.
“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së. Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023”.