Propozohen datat për zgjedhje – Fillimviti i ardhshëm e gjen vendin në zgjedhje të rregullta

Propozohen datat për zgjedhje – Fillimviti i ardhshëm e gjen vendin në zgjedhje të rregullta


Në një takim ‘kokë për kokë’ u mblodhën të mërkurën nën ftesën e Presidentes Vjosa Osmani, liderët e partive politike, shkruan Gazeta Enigma.

Tema kryesore e takimit ishte dakordimi për datën e zgjedhjeve parlamentare.  

Pas takimit me presidenten Osmani janë deklaruar krerët e opozitës, të cilët kanë propozuar datën e njëjtë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se në takimin me presidenten Osmani ka propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta nacionale në Kosovë.

“Prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka thënë Krasniqi.

E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të filluara nga 26 korriku, ku janë të përfshira 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

Abdixhiku shprehu shqetësimin se përpjekjet për shpërbërjen e Kuvendit dhe shmangien e përgjegjësisë nga Qeveria janë të panevojshme dhe të dëmshme, veçanërisht në këtë moment kritik për vendin.

Në takim nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Në përputhje me afatet kushtetuese, Abdixhiku propozoi datën 26 janar 2025 si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një Qeverie të re që do të parandalojë zhbërjen e shtetit dhe do të rikthejë orientimin pro-perëndimor, si dhe do të fokusoheshin në zhvillimin dhe mirëqenien qytetare.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë dhe rikthim tek qytetari, ato na vijnë në një moment kritik për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, tha Abdixhiku.

Lidhur me takimin me presidenten Osmani ka shkruar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se shpreson që Osmani ta përfillë kërkesën e partive parlamentare për mbajtjen e zgjedhjeve me 26 janar

Ai tha se kjo datë përfaqëson opsionin e parë në përputhje me afatet ligjore për organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e partisë Alternativa ka marrë pjesë në takim konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 9 ose 16 shkurt 2025.

Kusari, përmes një postimi në Facebook, në cilësinë e kryetares së Alternativës, e cila është në Qeverinë Kurti dhe shefe e Grupit parlamentar të LVV ishte e ftuar sot në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.

“Ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës”, ka shkruar Kusari-Lila, transmeton Telegrafi.

Ajo ka thënë se “gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës, e ritheksova gatishmërinë tonë të mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta”.

“Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, partitë e pakicave joserbe shprehen të gatshme të pranojnë datën e shumicës, ose datën që do të përcaktojë Presidentja.

Ndryshe, sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.

Related Articles