Pas zhurmës së madhe rreth dukjes së maturantëve në mbrëmjen e maturës, tani këta të fundit kanë edhe një detyrë shumë të rëndësishme për të bërë, paraqitjen e provimit të maturës shtetërore.
E kësaj radhe këtë proces të gjithë maturantët mund ta bëjnë në platformën e- Kosova të cilën e ka lansuar MAShT-i, raporton Gazeta Enigma.
“Në funksion të zhvillimeve të proceseve digjitalizuese të sistemit të arsimit parauniversitar, Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit për herë të parë ka lansuar në platformën e-Kosova paraqitjen online të Provimit Shtetëror të Maturës. Paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë akterëve të përshirë në proces, si: nxënësit (maturantët), shkollat, komunat dhe MAShTI.” – thuhet në njoftimin e MASht-it.
Sipas kësaj komunikate përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online. / Gazeta Enigma