Është bërë publike letra te cilën ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ia ka dërguar komandantit të KFOR-it, Enriko Barduani ku zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të vendit pa miratimin e KFOR.
Në letrën që po qarkullon në rrjetet sociale që mban datën 30 nëntor 2024, ministri Maqedonci zotohet në emër të Qverisë së Kosovës, se do ta vazhdojnë zotimin e viitit 2013 të dhënë nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojnë angazhimin e bërë përmes letrës së datës 19 Prill 2013, nga ish-kryeministri Thaçi, i cili angazhohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmarrë një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me miratimin paraprak nga KFOR-i.”, thuhet në letrën e Mqedoncit.
Letra e plotë e Maqedoncit :
I nderuar Gjeneral Barduani,
Po ju shkruaj këtë letër në lidhje me shqetësimin e shkaktuar nga pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ceremoninë mortore të z. Behgjet Hetemi, e mbajtur në Bistricë e Shalës më 24 Nëntor 2024.
Pas pranimit të letrës suaj, menjëherë kërkova nga Forca e Sigurisë së Kosovës informacione të hollësishme dhe mora sqarime lidhur me aktivitetin e ekipit ceremonial të FSK-së në Bistricë.
Pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të FSK-së në ceremoninë e përmendur u realizua me kërkesë të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kryerja e ceremonive të tilla është një nga detyrat rutinë të Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas Ligjit Nr. 04/L-261. Në kërkesën e pranuar, lokacioni ishte përmendur si Bistricë, Komuna e Mitrovicës, gjë që kontribuoi në konfuzion dhe gabim.
Mund t’ju siguroj se prania e Togës Ceremoniale në aktivitetin e përmendur në Bistricë pa miratimin paraprak nga KFOR-i ndodhi për shkak të një keqkoordinimi të brendshëm dhe ishte krejtësisht e paqëllimshme. Duke njohur ndjeshmërinë e çështjes, dua t’ju siguroj se kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kam udhëzuar udhëheqësinë e FSK-së të marrë masa adekuate për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen.
Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojnë angazhimin e bërë përmes letrës së datës 19 Prill 2013, nga ish-kryeministri Thaçi, i cili angazhohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmarrë një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me miratimin paraprak nga KFOR-i.
Duke shpresuar që kjo të mos dobësojë besimin tonë të ndërsjellë dhe të mos ndikojë në bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Ejup Maqedonci
Ministër i Mbrojtjes