Punëtorët e RTK-së kërkojnë rritje të buxhetit, paralajmërojnë protesta

Punëtorët e RTK-së kërkojnë rritje të buxhetit, paralajmërojnë protesta

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të rrisin buxhetin për transmetuesin publik. Në të kundërtën, sindikata ka paralajmëruar protesta dhe greva.

Përmes një njoftimi, sindikata ka bërë të ditur se RTK po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke kërkuar kthimin e buxhetit sipas ligjit aktual, derisa të miratohet ligji i ri për financimin e pavarur të mediumit, shkruan Gazeta Enigma.

“RTK e ka të pamundur mbijetesën pa rritje të buxhetit. Do të presim deri në miratimin e buxhetit në nivel nacional dhe, nëse kërkesat tona nuk plotësohen, do të fillojmë me protesta e greva,” thuhet në njoftim.

Sindikata ka rikujtuar se pagat në RTK nuk janë rritur që nga viti 2007, ndërsa nuk ka përparim as në lidhje me kontratën kolektive apo sigurimin shëndetësor për punëtorët. Gjithashtu, është theksuar se përballja me inflacionin dhe rritja e kostos së jetesës janë bërë të papërballueshme për stafin.

Punëtorët e RTK-së kërkojnë mbështetjen e kolegëve të tyre dhe kanë paralajmëruar edhe nisma ligjore për zgjidhjen e situatës. “Pritjes sonë të gjatë i ka ardhur fundi,” përfundon njoftimi./GAZETAENIGMA/

Related Articles