“Punëtorët nuk deklarohen për lëndime gjatë orarit, shkaku i frikës nga punëdhënësit” – shtohen rastet e vdekjeve gjatë orarit të punës

“Punëtorët nuk deklarohen për lëndime gjatë orarit, shkaku i frikës nga punëdhënësit” – shtohen rastet e vdekjeve gjatë orarit të punës

Lëndimet dhe vdekjet e punëtorëve në vendin e tyre të punës, vazhdojnë të jenë një “statistikë” shqetësuese për klasën punëtore dhe përfaqësuesit e tyre. Mos-pagesa e rrezikshmërisë në punë, kushtet e dobëta të sigurisë si dhe mos sigurimi i mjeteve mbrojtëse për punëtorët nga punëdhënësit, janë faktorë kyc i këtyre shifrave alarmuese, raporton Gazeta Enigma.

Në vitin 2013, përfundimisht miratohet një Ligj i veçantë për sigurinë dhe shëndetin në punë. Para tij, në zbatim kanë qenë rregullore të UNMIK-ut, udhëzime të ndryshme administrative, efekti i të cilave në terren ka qenë gati i pahetueshëm.

Me këtë ligj janë të përcaktuara qartë përgjegjësitë e punëdhënësit në raport me sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve: “Punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave, trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës…“.

Përkundër rasteve të shumëta të vdekjeve dhe lëndimeve gjatë orarit të punës, duket se punëdhënësit kosovar nuk po e marin parasysh këtë ligj i cili është formuluar në atë mënyrë që të parandalohen po këto raste.

Rasti i fundit ishte aksidenti në vendin e punës së të riut Jeton Lataj, nga Carrabregu i Deçanit, ku i njëjti dyshohet të ketë vdekur pas shkarkimit elektrik, teksa ishte duke punuar.

Raste si ky, kanë pësuar edhe 9 persona tjerë vetëm gjatë këtij viti, ku jemi vetëm në mesin e 2023-ës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se Kosova është vendi me rrezikshmërinë më të lartë në rajon, sa i përketë sigurisë në vendin e punës.

“Fakti që në Kosovë, rasti i lëndimeve dhe vdekjeve gjatë orarit të punës është katër-fish më i madh se gjitha vendet tjera në rajon, na bën me dije që rrezikshmëria gjatë orarit të punës, është e lartë dhe se Ligji për Siguri në Punë fare nuk implementohet”, tha Azemi për Gazetën Enigma.

Azemi theksoi se përkundër statistikave të frikshme të lëndimeve dhe vdekjeve gjatë orarit të punës, ato mund të jenë më të larta shkaku i punëtorëve që nuk i paraqesin lëndimet e tyre shkaku i frikës nga punëdhënësit.

“Rrezikshmëria në Punë nga punëdhënësit kosovar fare nuk paguhet dhe kur një punëtorë lëndohet gjatë orarit të punës, ai mbetet pa asnjë kompenzim. Shumë punëtorë nuk deklarohen rreth lëndimeve gjatë orarit të punës, shkaku i frikës nga pronartë e kompanive, dhe kjo pamundëson arritjen e një statistike të saktë për këto raste.”

Tutje, Azemi tregon se ka rreth 1700 raste të lëndimeve mesatarisht dhe se përgjatë 5 vjetëve të fundit, numrat e të vdekurve janë alarmante.

“Mesatarisht janë rreth 1700 raste të lëndimeve në vit. Gjatë vitit 2018 kanë qenë 27 raste të vdekjeve, në vitin 2019 janë 17 raste, në 2020-ën i kemi 15 raste të vdekjeve, në vitin 2021 janë 14 raste, 2022 i kemi 23 raste të vdekjeve dhe fatkeqsisht në vitin 2023 deri më tash kemi 10 raste të vdekjeve në vendin e tyre të punës. Këto shifra janë alarmante” përfundoi Azemi.

Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Ymer Zeqiri, thotë se Policia janë gjithmonë në rrezik shkaku i natyrës së punës së tyre, dhe si pasojë janë 22 policë që kanë humbur jetën e afro 400 të lënduar gjatë ushtrimit të dëtyrës që prej themelimit të kësaj organizate shtetërore.

“Policia janë gjithmonë të rrezikuar në vendin e tyre të punës, shkaku i natyrës së punës së tyre, si në raste të papritura, ashtu edhe të pritura, rrezikshmëria është e lartë. Prej themelimit të Policisë, ne i kemi 22 policë që kanë humbur jetën në kryerje të detyrës, ndërsa janë afro 400 zyrtarë që janë lënduar gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Zeqiri për Enigmën.

Zeqiri thekson se këto shifra janë pasqyre e rrezikshmërisë së lartë të punës së zyrtarëve policor.

“Kjo është një indeks, apo parametër se sa e lartë është rrezikshmëria në punë për Policinë e Kosovës. Vlerësimi i Rrezikshmërisë për Policë është paguar deri para 4 muajve, ndërsa nuk është pagu që 4 muaj, prej implementimit të Ligjit të ri për Paga”, përfundoi ai.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë tha për Enigmën se Ligji për Siguri në Punë nëse do ishte respektuar ashtu sic duhet, do të parandaloheshin shumë raste të lëndimeve apo vdekjeve.

“Ligji parasheh pajisjen e punëtorëve me mjete mbrojtëse e një varg masash tjera për siguri në vendin e punës. Shkelja e këtyre rregullave është në kundërshtim me ligjin dhe bizneset të cilat i shkelin këto do të duhej të dënoheshin në mënyrë të rreptë e cila do të kishte efekte parandaluese për bizneset tjera që të mos shkelin këto rregulla”, tha ai.

Shala theksoi se mungesa e inspektorëve dhe varfëria, janë ndër faktorët se pse ka kaq shumë shpesh lëndime gjatë orarit të punës. “Inspektorati i Punës për fatin e keq ka mungesë të inspektorëve që të kryej detyrën e si pasojë është krijuar një hapësirë për bizneset që të mos respektojnë Ligjin. Shtojmë këtu gjendjen e rënduar ekonomiko-sociale kur qytetarët obligohen të pranojnë të bëjnë cdo punë për të marrë një kompensim monetar shpesh here jo dinjitoz për punën e bërë.”, përfundoi ai. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles