Ministria e Tregtisë, gjatë vitit 2023, kishte vazhduar t’i kompensojë punonjësit e komunitetit serb pa shkuar fare në punë.
Kjo është konstatuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit ku sipas nenit 8 të rregullores nr.12/2020 për orarin e punës dhe pushimet e zyrtareve , përcakton se gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar të jenë në vendin e punës.
“Me vendimin nr 06/39 të datës 22.07.2015, ministria ishte obliguar t’i sistemonte 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë në MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet e tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevantë, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2023 për këtë kategori ishte 133,636 euro”, thuhet në raportin ZAK-së.
Po ashtu sipas auditorit, kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse është raportuar në vazhdimësi nga raportet e auditimit.
“Ministria ende nuk ka arritur të marrë masa konkrete në sistemin , angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në raport.