Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar tri ankesa nga subjektet politike pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet për zgjedhjet e 17 tetorit.
Afati për pranimin e ankesave lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për kryetar komunash ka përfunduar në ora 10:00, ku palët kanë mundur të parashtrojnë ankesë brenda 24 orëve pas publikimit të rezultateve.
Kryesuesi i Sekretariatit në PZAP, Mul Desku, ka thënë se kanë pranuar tri ankesa për rezultatin e zgjedhjeve, kurse një ankesë kanë pranuar lidhur me fushatën që po bëhet para fushatës së balotazhit.
Ankesat janë parashtruar nga kandidatët e PDK-së, një nga kandidati i Nismës, dhe një nga LDK.
“Tri apele janë parashtruar kundër rezultatit të zgjedhjeve të kandidatëve për kryetar të Komunave të publikuara nga KQZ-ja ndërsa një ankesë është paraqitur për para fushat para fushatës zyrtare për balotazh. Ankesë ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Shtimes, për shkak të gabimit të regjistrimit të votave në mes të kandidatëve për kryetar të Komunës së Shtimes. Ankesë ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Ferizajt, për shkak të mos regjistrimit të saktë të votave me kusht dhe me post.
Ankesë ka paraqitur Kandidati i Nismës për kryetar të Komunës së Podujevës, i cili pretendon se ka dyshime se janë abuzuar votat gati në çdo vendvotim të Komunës se Podujevës dhe e kërkon rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet e Komunës se Podujevës. Ankesë e ka parashtruar LDK kundër LVV, me pretendimet se kandidati i LVV në Prishtine po bënë fushat thirrje për ta votuar”, ka thënë Desku.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.
Në 17 komuna, kandidatët kanë fituar vota të mjaftueshme për të marrë mandatin e kryetarit, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve.
Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor./Gazeta “Enigma”/