Qalaj: Video e Radojiçiqit është provokuese për Institucionet e Sigurisë së vendit

Qalaj: Video e Radojiçiqit është provokuese për Institucionet e Sigurisë së vendit

Milan Radoijçiq, i cili në shkurt ishte arratisur nga Policia e Kosovës, së fundmi ka publikuar një video ku tregon se është brenda territorit të Kosovës, teksa dërgon mesazhe kërcënuese dhe nga njëra anë askush nga institucionet e sigurisë së Kosovës nuk reagon, shkruan GazetaEngima.

Radoijçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Përderisa e ka realizuar videon Radoijçiq, shfaqet krenarë teksa tregon se gjendet në Kosovë.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radoijçiq.

Radoijçiq më 3 shkurt ishte arratisur nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare në Bërnjak. Policia atëbotë deklaroi se më 3 shkurt, Radoiçiqit i kishin kërkuar që të parkonte veturën, në mënyrë që të kryeheshin kontrollet policore, por ai ishte larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Lidhur me këtë ngjarje, tre zyrtarë policorë të Kosovës ishin suspenduar nga puna.

Lidhur me këtë Gazeta Enigma, ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili ka qenë ish – drejtor i Policisë.

Sipas tij drejtoria e Policisë së Kosovës dhe AKI, duhet të sigurojnë informata intelegjente rreth vendndodhjes së Radojiçiqit, pasi që vetëm përmes një videoje të publikuar në medie, nuk e konfirmon lokacionin e tij të sakt.

“Fillimisht nga video që e pamë në media ne nuk mund të jemi të sigurtë se a është Milan Radojiçiq, në Kosovë apo jo. Sidoqoftë drejtoria e Intelegjencës e Policisë së Kosovës dhe AKI duhet që të sigurojnë informata intelegjente mbi vend ndodhjen e tijë dhe në rast se konfirmohet se ai është në Kosovë”, tha Qalaj.

Ai theksoi se policia e Kosovës, duhet të zbatojë urdhër arrestin e lëshuar nga Gjykata ndaj tij, sipas tij video e publikuar nga Radojiçiqi është provokim për Institucionet e Sigurisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës duhet që të zbatojë urdhër arrestin e lëshuar nga Gjykata dhe ta arrestoj atë. Arrestimi i tijë edhe mund të përdoret nga qarqe kriminale që të shkaktojnë probleme të vogla mirëpo kjo nuk duhet ndaluar PK- në qe ta arrestojë ate. Kjo definitivisht është një video provokuese për Institucionet e Sigurisë së vendit mirëpo në të njejtën kohë është mesazh kërcënimi për qytetarët Serb të veriut të cilët më nuk i frikësohen edhe aq Milan Radojiçiqit”, përfundoi Qalaj.

Kurse drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, beson se Milan Radoijçiq u është drejtuar drejtpërdrejt institucioneve të Kosovës me një video-mesazh me qëllim që t’u bëjë të ditur se ai ende ka lidhje, përmes së cilave mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe të kontrollojë grupe kriminele në veri.

“Ky është mesazhi i parë që ka dashur t’i dërgojë Kosovës, Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ai është edhe ndër individët që janë në listën e zezë amerikane, të lidhur me aktivitete kriminale dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Pra, po tenton të thotë se institucionet e Kosovës nuk i kanë mbyllur të gjitha rrugët alternative në veri, ky është mesazh edhe për Policinë e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Ndërsa Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, për Gazetën Enigma, theksoi se prezenca e personit më të kërkuar në Kosovë, është shumë shqetësuese pasi që deri tani organet e ndjekjes nuk e kanë arrestuar për veprat e ndryshme penale, vepra të cilat arrijnë deri tek cenimi i sigurisë nacionale, sipas tij rrugët ilegale përmes të cilave ka mundur të hyjë Radoijçiqi.

“Prezenca e personit më të kërkuar në Kosovë , nënkryetarit të Listes Serbe në territorin e Kosovës, është shetësuse për faktin që deri më tani organet e ndjekjes nuk kanë mund të arrestojnë dhe ta vendosin para drejtësise për veprat të ndryshme penale të cilat mbrin deri te cenimi i sigurisë nacionale si dhe krimit të organizuar.

“Pra video e publikuar nga medium serb ku shihet i apostrofuari duhet të analizohet se kur është bërë video në cilën periudh por edhe ana tjetër dihet që rrugët ilegale në veri të vendit është problem të monitorohen në aspektin statik dhe personi në fjalë ka gjithë mekanizmin e tij kriminal strukturuar në dispozicion për të gjetur depërtim në territorin e vendit”.

‘Është me rëndesi që Milani nuk ka tentuar të hyjë në qytetin e Mitrovicës nga frika që mos po indetifikohet nga organet e sigurisë të cilet janë bukur aktive dhe prezente në atë pjesë por ka përzgjedhur që të qendrojë sipas videos në Leposaviq dhe atë jo në qytet por në pjesen malore dhe kjo po jep një mesazh që nenkryetari i këtij subjekti politik e din që në momentin që levizë në qytet do mund të arrestohet dhe të vihet para drejtësise”, u shpreh Shala.

Shala deklaroi se për këtë veprim Qeveria e Kosovs, Kuvendi dhe Komisioni Zgjedhor, duhet të ndërmarrin masa ndaj tij përderisa ai kërkohet nga organet e sigurisë për cenim të sigurisë nacionale, shkruan Gazeta Enigma.

“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me kuvendin e Kosovës por edhe me Komisionin Zgjedhor duhet të marrin veprime konkrete të përjashtimit të këtij subjekti politik nga prezenca publike në jetën politike deri sa nënkryetari është një person që kërkohet nga organet e sigurise për cenim të sigurisë nacionale”.

“Presioni politik duhet të mbështetet nga të gjithë akteret relevant politik në kuvend që njëherë e përgjithëmon mos ti jepet mundësi askujt që të fshihet nga ndjekja penale me arsyetim të ndonjë pozicioni politik që mund të ketë. Mos të harrojm edhe një argument tejet të rëndësishem është dhe mbetet që këtë person e mbështet qeveria e Serbisë edhe përmes mekanizmit të sigurisë së Beogradit që gjithmon tentojnë që të kontrollojnë dhe determinojnë sigurin dhe proceset e brendshem në Kosovë”, përfundoi Shala.

Ndërkaq, video-mesazhi i Radoiçiqit u publikua në kohën kur autoritetet nga Serbia po reagojnë ashpër ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket dokumenteve personale dhe për riregjistrimin e veturave me targat e qyteteve në Kosovë që lëshohen nga autoritetet e Serbisë, të cilat Kosova kërkon që të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës), shkruan GazetaEnigma.

GazetaEnigma

Related Articles